Dy klubet më të mëdha të botës, Real Madridi dhe Barcelona kohëve të fundit përveç ecurisë negative, janë duke u përballur edhe me një situatë tjetër të pakëndshme.
Bëhet fjalë për dy yjet e tyre, që klubeve i kanë dhënë shumë përgjatë karrierës, Lionel Messi nga Barcelona dhe Sergio Ramos nga Real Madridi. Messi i cili verën e kaluar me ngulm kërkonte largimin, nuk e ka vazhduar kontratën me katalunasit, duke lënë të hapur dhe enigmë gjithçka rreth të ardhmes në klubin e Barcelonës.
Për situatën me Messin së fundmi ka folur trajneri i skuadrës katalunase, Ronald Koeman, i cili u shpreh se lojtari argjentinas është i lirë të vendosë për të ardhmen e tij si çdo lojtar tjetër.
“Ne duhet të shohim të gjithë situatën, intervistën në të cilën ai tha se nuk dëshiron të marrë vendime tani. Si çdo lojtar të cilit i skadon kontrata, ai është i lirë të vendosë siç dëshiron. Unë nuk shoh një problem nëse ai nuk vendos tani. E respektoj çdo vendim, nuk kam pse duhet të jemi nervoz dhe i shqetësuar për këtë”, ka thënë holandezi.
Nga ana tjetër, Sergio Ramos këtë vit përfundon kontratën me madrilenët, e që për klubin nga Madridi mbrojtësi qendrorë ka një vlerë shumë të madhe, mirëpo kapiteni legjendar ende nuk ka vazhduar kontratën, teksa është prëfolur shumë për një kalim tek skuadra franceze Paris Saint-Germain.
Çka i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit, ishte menaxheri dhe njëherësh vëllau i kapitenit të Kombëtares Spanjolle, Rene Ramos, i cili u shpreh i pakënaqur me klubin nga Madridi, që ka lejuar të arrihet në një pikë të tillë, duke aluduar tek etiketimet që po e lidhin Sergio Ramos me klube të ndryshme, në një të ardhme larg Real Madridit.
Ai përmes një shpërndarje të një shkrimi nga një gazetar spanjoll në rrjetin social Twitter, la të kuptohet se situata nuk është edhe aq komode sa Real Madridi mendon.
“Dikush duhet të shpjegojë si dhe pse kemi ardhur deri në këtë pikë, ku kapiteni dhe njëri prej legjendave të Real Madridit, lejohet të shfaqet në ekipe absurde të lojtarëve të cilët janë të lirë të nënshkruajnë marrëveshje me klube të tjera tani”, shkroi gazetari Alfredo Duro në Twitter.
Messin e Ramosin i lidh që të dy një kalim në skuadra të tjera, e më i rrezikuari momentalisht për t’u larguar e biseduar me klube të tjera është Sergio Ramos, pasi që ai ende po qëndron i heshtur, teksa nga ana tjetër, Lionel Messi në një intervistë për mediumin “La Sexta”, ka bërë të ditur se deri në fund të sezonit do të jetë pjesë e katalunasve.
Paris Saint-Germain i lidh që të dy lojtarët që bashkarisht ndanë shumë El Classico, e që futbollit i dhanë shumë përgjatë historisë së këtij shekulli.
Sergio Ramos me Real Madridin ka regjistruar 666 ndeshje dhe 100 gola, duke asistuar 40 herë për bashkëlojtarët e tij, teksa Lionel Messi ka shifra të frikshme me skuadrën katalunase, duke regjistruar 750 ndeshje, 644 gola dhe 284 asiste.