UBT News

Kush dhe pse po proteston në Serbi?

Disa mijëra qytetarë serbë, ditëve të fundit, kanë marrë pjesë në protesta, bllokada të rrugëve e marshe protestuese në Beograd dhe në perëndim të Serbisë, përkatësisht në qytetet Shabac e Lloznica.

E përbashkëta e të gjitha protestave është kërkesa që autoritetet t’i ndalojnë projektet, që konsiderohen ekologjikisht të dëmshme, por organizatorët e tyre dallojnë.

Njëra prej kërkesave kryesore që u dëgjua në disa protesta, ishte tërheqja e ndryshimeve për dy ligje, të cilat Kuvendi i Serbisë i miratoi javën e kaluar: Ligjin për Referendum dhe atë për Shpronësim.

Derisa kundërshtarët e tyre konsiderojnë se ato u përshtaten investitorëve privatë, këto pohime i mohon Qeveria e Serbisë, me në krye Partinë Përparimtare Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Ndryshimet e Ligjit për Referendum hynë në fuqi, sepse pas votimit në Kuvend, i nënshkroi edhe presidenti serb.

Por, ndryshimi i Ligjit për Shpronësim ende nuk e ka nënshkrimin e Vuçiqit.

Vuçiq deklaroi më 30 nëntor se i “duket” se do të nënshkruajë ndryshimet në Ligjin për Shpronësim, por shtoi se “ende nuk jam i sigurt”.

“Kam lexuar tri mendime të ndryshme… Ajo që lexova nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Do të kërkojë mendime shtesë dhe më pas do të marr një vendim”, tha Vuçiq gjatë një vizite të punimeve në ndërtimin e metrosë në Beograd.

Bllokadat e rrugëve në gjithë Serbinë – të cilat u organizuan më 27 nëntor për shkak të ndryshimeve të këtyre ligjeve – presidenti serb i quajti “shkelje kushtetuese”.

Protestat e organizuara nga disa shoqata mjedisore, iniciativa qytetare dhe parti opozitare, Vuçiq i quajti “krim politik”.

Incidente dhe përplasje të protestuesve me policinë janë shënuar në disa lokacione në Serbi, ndërsa në qytetin e Shabacit, siç pohon opozita, demonstruesit janë sulmuar nga disa persona të maskuar me çekanë e shkopinj.

Policia nuk e dha numrin e të arrestuarve dhe të të lënduarve gjatë protestës së 27 nëntorit, por ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, tha se protestat ishin “tentim për provokim të përleshjeve e trazirave”.

Sipas tij, ato nuk kanë kurrfarë lidhjesh me ambient, por janë “politikë e ndyrë”.

Protestat në Lloznicë, kundër minierës Rio Tinto

Në qytetin perëndimor serb, Lloznica, disa qindra mijëra qytetarë kanë protestuar më 29 nëntor kundër planit që në rrethinën e këtij qyteti, të ndërtohet miniera e litiumit, në pronësi të kompanisë Rio Tinto.

Në vitin 2020, bazuar në të ardhurat, Rio Tinto renditej si kompania e gjashtë në botë për metal e miniera, e që, sipas portalit të specializuar për miniera, Mining Technology, vlera e saj arriti shumën prej 43.1 miliardë dollarësh.

Kompania Rio Tinto është themeluar në vitin 1873. Fjala është për një kompani multinacionale britaniko-australiane, me seli në Londër, e cila operon në 35 shtete të botës.

Kundërshtarët e minierës thonë se ajo mund të ketë pasoja negative ndaj mjedisit, madje jo vetëm në qytet, por edhe më gjerë.

Gjatë protestës së 27 nëntorit, kërkesa ishte që nga planifikimi i projekteve të ardhshme, të përjashtohet mundësia e ndërtimit të minierës në brigjet e lumit Jadar.

Peticionin që kundërshton ndërtimin e minierës, e kanë nënshkruar më shumë se 5 mijë banorë nga rreth 80 mijë sa ka qyteti. Megjithatë, seanca e Asamblesë Komunale, e caktuar për 29 nëntor, është anuluar.

Nga vetë kompania Rio Tinto i kanë hedhur poshtë pohimet për ndotje të ambientit, ndërsa kanë premtuar respektimin e të gjithë standardeve ekologjike për projektin tashmë të titulluar “Jadar”.

Në deklaratën e saj të lëshuar në muajin shtator, kompania ka thënë se ka mirëkuptim për shqetësimin e banorëve, por u ka bërë thirrje atyre që të informohen rreth projektit.

Aty theksohet se “projekti është mundësi për zhvillimin e Serbisë dhe mundësi që Serbia të prijë në tranzicionin e gjelbër në Evropë”.

Miniera, megjithatë, ende nuk ka marrë leje për ndërtim dhe pritet vlerësimi i ndikimit në ambient. Autoritetet, ndërkaq, kanë premtuar se banorët lokalë do të vendosin përmes referendumit nëse e duan ose jo minierën.

Sipas ndryshimeve në Ligjin për Referendume, që tashmë ka hyrë në fuqi, pragu prej 50 për qind është hequr, që do të thotë se nuk ka rëndësi se sa votues do të marrin pjesë në referendum, që ai të jetë i suksesshëm.

Protestuesit në Lloznicë gjithashtu kanë kërkuar të mos nënshkruhen ndryshimet në Ligjin për Shpronësim.

Ndryshimet në këtë ligj do t’i mundësonin shtetit që urgjentisht, në afatin më të shkurtër, të konfiskojë pronën private dhe të paguajë pronarin nëse shpronësimi i pronës nevojitet për ndonjë projekt me interes publik.

Andaj, kundërshtarët pohojnë se ligji i përshtatet kompanisë Rio Tinto, për të marrë pjesë të tokave për minierën e saj, të cilat nuk i ka blerë nga banorët.

Autoritetet disa herë e kanë mohuar këtë. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka thënë se kompania tashmë i ka në pronësi të gjitha parcelat e nevojshme.

Në qytetin e Shabacit pati incidente gjatë bllokimit të rrugëve

Të shtunën e 27 nëntorit, qyteti i Shabacit iu bashkua qyteteve serbe, në të cilat ishin organizuar bllokadat e rrugëve në shenjë proteste ndaj Ligjit për Shpronësim dhe Referendum.

Protestën e organizuan disa shoqata të organizatave ekologjike. Por, krahas qytetarëve dhe organizatave, në protestë morën pjesë edhe përfaqësuesit e iniciativës opozitare “Mos të ngufatim Beogradin” dhe të partisë “Bashkë për Serbinë”, të cilën e udhëheq ish-kryetari i qytetit Shabac, Nebojsha Zellenoviq.

Këto dy organizata politike paralajmëruan daljen e përbashkët në zgjedhje në prill të vitit 2022.

Në rrjete sociale pati shumë reagime pas shpërndarjes së pamjeve nga incidentet në Shabac.

Një ditë më pas pati protestë edhe në Beograd, si reagim ndaj incidenteve në Shabac.

Nga kjo protestë, e mbajtur më 28 nëntor, u kërkua lirimi i të gjithë protestuesve të arrestuar gjatë bllokadës së rrugëve në Serbi, si dhe arrestimi i sulmuesve të protestuesve.

Më 29 nëntor, policia liroi dy protestues të arrestuar, njërin nga qyteti i Shabacit e njërin nga Llazarevci, afër Beogradit.

Zellenoviq deklaroi më pas se sulmuesit ndaj protestuesve në Shabac, ishin ithtarë të Partisë Përparimtare Serbe. Ndaj kësaj deklarate reagoi kryeministrja Bërnabiq, duke thënë se nuk e di se kush i sulmoi protestuesit.

Duke i komentuar incidentet në qytetin e Shabacit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se atje u rrah një person, “i cili nuk kishte shkelur kurrfarë ligji dhe nuk e rrezikoi askënd”.

Protestat në Beograd, nga bllokada deri te marshi

Në bllokadën e rrugëve më 27 nëntor – organizim ky i disa organizatave mjedisore dhe organizatave joqeveritare – u bashkuan edhe disa grupe lokale të qytetarëve në disa qytete, si: Pozhega, Valevo, Novi Sadi e të tjera.

Në Beograd, forca të shumta policore vendosën kordonë në disa rrugë, në përpjekje për t’iu pamundësuar qytetarëve që t’i bllokojnë rrugët.

Gjatë kësaj proteste në Beograd pati incidente të shumta mes protestuesve e policisë. Policia, në disa raste, është xhiruar nga protestuesit duke i shtyrë ata.

Ministria e Brendshme nuk e ka komentuar rastin. Por, në një njoftim të shkruar, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, tha se policia ishte ajo që u sulmua në disa vende dhe se ligji u shkel vazhdimisht nga protestuesit.

Ai, po ashtu, tha se Serbia është shtet demokratik, ku secili ka të drejtë të protestojë, porse pengimi i qytetarëve tjerë të lëvizin lirshëm, siç tha ai, është tentim për shkaktim të trazirave.

Protesta për ditë me radhë pati edhe para Parlamentit të Serbisë, derisa deputetët debatonin për ndryshime në Ligin për Referendum dhe Shpronësim.

Protesta e radhës është paralajmëruar më 4 dhjetor.

“Eko-rojet” kundër ndotjes së ambientit

Të dielën e 28 nëntorit u mbajt edhe një protestë, e cila mblodhi aktivistët për ambient dhe qytetarët në qendër të Beogradit, e në të cilën u kërkua nga autoritetet që të zgjidhin problemin e ndotjes së ambientit.

Kjo protestë u organizua nga grupi joformal i qytetarëve “Eko-rojet”.

Beogradi dhe qytete të tjera serbe, ditëve të fundit, ishin në mesin e qyteteve më të ndotura në botë, bazuar në aplikacionin për matjen e cilësisë së ajrit, Air Visual.

Në protestën e organizuar nga “Eko-rojet” morën pjesë disa mijëra qytetarë.

Pas evidentimit të shkeljeve të shumta, sa u përket masave për parandalimin e ndotjes së ajrit, Ministria serbe e Mbrojtjes së Mjedisit paralajmëroi se nga 1 nëntori, do të fillojë mbikëqyrja e koordinuar dhe inspektimi i ndotjes së ajrit në Beograd, në mënyrë që të zbulohen kompanitë dhe institucionet e tjera në territorin e Beogradit, të cilat nuk i respektojnë masat kundër ndotjes së ajrit.

Protestë kundër metrosë në Beograd

Aktivistët e mjedisit, liderët e opozitës dhe grupi i qytetarëve të kryeqytetit serb, Beograd, kanë protestuar edhe të hënën e 22 nëntorit, afër vendit ku ka filluar ndërtimi i metrosë në Beograd.

Punimet kanë filluar në zonën e quajtur “Fusha e Makishës”, ku parashihet të vendoset stacioni i parë dhe depoja e metrosë.

Në këtë zonë ndodhen edhe burime nëntokësore, nga të cilat Beogradi furnizohet me ujë të pijshëm, si dhe fabrikat për përpunimin e ujit të pijshëm.

Organizatorët e protestës thonë se me ndërtimin e metrosë, këto burime të ujit do të dëmtohen.

Duke komentuar protestën, zëvendëskryetari i Beogradit, Goran Vesiq, ka thënë se “asnjëherë, askund në botë nuk ka ndodhur që dikush të kundërshtojë ndërtimin e metrosë në qytet”.

“Mund të kuptoj që nuk pajtohemi politikisht, që nuk ndajmë vizionin e njëjtë të zhvillimit të qytetit, e kuptoj edhe të drejtën për të protestuar, por që ka njerëz që duan të parandalojnë ndërtimin e metrosë, këtë nuk e kuptoj”, ka thënë Vesiq.

Projekti i metrosë, në bazë të të cilit filluan punimet, kundërshtohet edhe nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Beograd. Ky institucion, më 27 nëntor, njoftoi që nuk do të marrë pjesë në realizimin e mëtutjeshëm të këtij projekti.

Fakulteti ka kërkuar përfshirjen e këtij institucioni në planifikim, si dhe përditësimin e të gjitha të dhënave relevante rreth ndërtimit të metrosë, por Komisioni i Kuvendit të Beogradit e ka përjashtuar këtë.

Sipas paralajmërimit të autoriteteve, linja e parë e metrosë në Beograd do të duhej të përfundonte në vitin 2028./REL

Exit mobile version