UBT News

Kusari-Lila: Pa sanksionimin e Serbisë vështirë të arrihet ndonjë rezultat në dialog

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e quajti shqetësuese deklaratën e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se “asgjë nuk ka ndryshuar pas 24 shtatorit” në kërkesat e ndërmjetësuesit të dialogut, duke shtuar së pas agresionit në Banjskë gjithçka ka ndryshuar.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila u shpreh se nuk është në dijeni për ndonjë ultimatum të dhënë ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe plotësimin e disa kërkesave të tjera.

Kusari-Lila u shpreh se Kosova ka treguar gjithnjë gatishmëri për dialog por u shpreh pesimiste se mund të ketë rezultat në këtë proces pa u sanksionuar Serbia në lidhje me agresionin e 24 shtatorit.

“Natyrisht që Kosova ka qenë e gatshme dhe ka treguar gatishmëri për pjesëmarrje në dialog me konstruktivitet e natyrisht edhe në obligime të cilat janë të njëjta për të gjitha palët pasi ato të dakordohen, përfshirë këtu zbatimin e marrëveshjeve paraprake… Ne jemi të qëndrimit që 24 shtatori ka shënuar një kthesë të rëndësishme dhe fatkeqësisht jo për të mirë në procesin e dialogut dhe natyrisht që kërkojmë edhe llogari nga ata që kanë qenë dhe mbeten të angazhuar në sulmin ndaj Republikës sonë por gjithashtu edhe një rikonfigurim të një procesi në të cilin njëra palë dukshëm mendon se ushtrimi i dhunës dhe cenimi i sovranitetit dhe integritetit territorial janë pjesë e këtij procesi dhe nuk mund ta pranojmë atë”, tha Kusari-Lila.

Kryetarja e GP të LVV-së tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë parasysh edhe kërkesat e Kosovës në dialog.

“Është i domosdoshëm sekuencimi dhe është e domosdoshme marrja në konsideratë e feedback-ut apo e deklarimeve të palës, në këtë rast të Kosovës, të përfshirë në proces. Kosova edhe më herët ka propozuar sekuencimin, ka propozuar planin e vet, idenë e vet për këtë proces e natyrisht ka shprehur brengat e veta për qasjen destruktive të Serbisë. Për detaje të tjera nëse mund të ndodhë diçka shpejte ose jo, përgjegjës janë ata që janë bartës të procesit, në këtë rast qeveria, por që në rrethanat aktuale pa një reflektim dhe pa veprim konkret nga ana e Serbisë në raport me dënimin dhe vendosjen para sanksioneve të atyre drejtpërdrejt përgjegjës, e fatkeqësisht kjo çon deri te presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ngjarjet e 24 shtatorit, vështirë mund të parashihet ndonjë sukses në këtë proces”, vijoi Kusari-Lila.

Kusari-Lila u shpreh se çdo ditë që po kalon dhe çdo fakt i ri që po zbardhet në raport me sulmin e 24 shtatorit po çon tek kryerësit dhe urdhëruesit deri në hierarkinë më të lartë shtetërore të Serbisë dhe, sipas saj, masat ndërkombëtare ndaj këtij vendi janë më e pakta që mund të ndodhin.

Në lidhje me kërkesën e kryeministrit Kurti se duhet një gjykatë speciale për të gjykuar atë që e quajti Klanin e Novi Sadit dhe mafien ballkanike, Kusari-Lila u shpreh se Kuvendi i Kosovës është në të njëjtën frymë me kërkesën e Kurtit. Sipas saj, tashmë kur po bëhen një muaj nga ngjarja në Banjskë ende nuk janë marrë masa ndaj Serbisë, ndryshe nga Kosova që mbetet nën masa ndëshkuese.

“Nuk mund të shtoj diçka tjetër përtej asaj që ne kemi martuar si rezolutë, kemi kërkuar të njëjtën jo në formë eksplicite sa kryeministri i Kosovës e kërkoi sot por në formën e njëjtë në raport me përgjegjësit dhe në raport me obligimet që edhe bashkësia ndërkombëtare i ka karshi këtij procesi për shkak se nuk ka munguar reagimi i menjëhershëm për masat, jo sanksionet, për masat që u quajtën ndaj Kosovës ndërsa ne ende po flasim gati një muaj pas ngjarjes së 24 shtatorit ende nuk kemi një veprim konkret në raport me sanksionimin e atyre të cilët dhe mbeten urdhëruesit, dizajnuasit, dhe ekzekutuesit e atij akti terrorist”, tha Kusari-Lila.

Pasi paralajmëroi se janë tri seanca të Kuvendit këtë javë, Kusari-Lila tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me opozitën për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare pasi bëhet fjalë për projekte deri në 400 milionë euro që do t’i përfitojnë edhe komunat që i udhëheqin partitë opozitare.

Exit mobile version