Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih ka zhvilluar 17 takime bilaterale e biseda me liderë e përfaqësues politik nga Evropa e bota.
Kryeministri Kurti mes tjerash njoftoi se për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e bashkëpunimit biseduan me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me kryeministrin e Bullgarisë, Kiri Petkov, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimistar Kovaçevsik. Kurse bashkë me presidenten Vjosa Osmani Sadriu, u takuan me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku theksuan rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy shteteve.
“Në takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák diskutuam për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq në takimin me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn kërkuam dhe morëm premtim për më shumë mbështetje financiare dhe teknike në fushën e arsimit dhe punësimit të të rinjëve.Po ashtu takuam ministren e Punëve të Jashtme të Australisë, Marise Payne, ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, një prej shteteve të para të Lindjes së Mesme që kanë njohur Republikën tonë, Ayan Safadi dhe ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir. Të gjithë i falënderuam për marrëdhëniet e mira dhe i shkëmbyem zotimet tona për përparimin e tyre.Ditën e dytë e filluam herët me takimin me Senatoren amerikane të shtetit të Iowa-s, miken e Kosovës, Joni Ernst, të cilës i shprehëm mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Me zëvendëskryeministren Gërvalla zhvilluam takime dhe me udhëheqësit e subjekteve politike gjermane, kryesuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, me kryetarin e Unionit Kristian Demokratik të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe bashkë-drejtuesin e Partisë së Gjelbër gjermane, deputetin Omid Nouripour.Gjithashtu, takuam edhe lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya dhe Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt”, njoftoi mes tjerash kreu i Qeverisë.
Kurti njoftoi se çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte tema e takimit me Presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer./UBTNews/