Kryeministri Albin Kurti ka shprehur bindjen e tij se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se procesi i zgjedhjes së presidentit kërkon gatishmëri për kompromis dhe vullnet politik.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti vuri në dukje se afatet kushtetuese po afrohen dhe se stabiliteti institucional është prioritet.
“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetës kemi një afat kushtues që po ofron, shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese të zgjedhurve të popullit. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta”, u shpreh Kurti.
Sipas kreut të qeverisë, përsëritja e zgjedhjeve nuk do të prodhonte një rezultat ndryshe. Ai shtoi se dialogu për postin e presidentit duhet të bazohet në fuqinë politike të përcaktuar nga vota e fundit e qytetarëve.
“Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga këto pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendit tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje e cila i përgjigjet vullnetit qytetar”, deklaroi Kurti.
Kryeministri nënvizoi se Kosovës i duhen institucione stabile, “veçmas në këtë kohë të trazuar nga zhvillimet gjeopolitike”.
Në vazhdën e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, Albin Kurti do të pritet sot në orën 11:00 në ambientet e Kuvendit nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ky përfaqëson takimin e pestë me radhë mes dy liderëve, me qëllim koordinimin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
