UBT News

Kurti viziton Galerinë Kombëtare: Arti është udhërrëfyes i shoqërisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e artit pamor dhe institucioneve kulturore në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe zhvillimin e jetës publike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ndau përshtypjet e tij nga ekspozitat e fundit, duke vlerësuar Galerinë Kombëtare si një hapësirë të rëndësishme për promovimin e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe për ndërtimin e identitetit kulturor të vendit.

“Arti nuk është vetëm reflektim i shoqërisë, por edhe udhërrëfyes i saj. Mbështetja për institucionet tona kulturore dhe krijuesit tanë mbetet prioritet, pasi përmes tyre prezantojmë vlerat tona më të mira para botës”, ka shkruar Kurti.

Gjatë vizitës, ai u njoftua edhe me projektet dhe sfidat e Galerisë Kombëtare, duke rikonfirmuar angazhimin e Qeverisë për rritjen e investimeve në infrastrukturën kulturore dhe për mbështetjen e artit bashkëkohor në Kosovë./A.K/

Exit mobile version