Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar klubin mitrovicas KB Trepça për fitoren e titullit kampion në basketboll për edicionin 2024/25.
Trepça e mbylli serinë finale të “play-off”-it me rezultat 4:2 ndaj KB Bashkimit, në një ndeshje vendimtare të zhvilluar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Ky është titulli i dytë radhazi dhe i gjashti në histori për klubin nga Mitrovica.
Kurti, i cili ishte i pranishëm në ndeshje, ka ndarë një urim në rrjetet sociale, ku ka vlerësuar performancën e të dy ekipeve dhe atmosferën në pallat.
“Trepça kampione përsëri! Titulli i gjashtë në histori dhe i dyti me radhë për minatorët që po vazhdojnë të jenë forcë dominuese në basketbollin kosovar. Respekt për Bashkimin – një finalist që i dha emocione dhe garë të fortë këtij sezoni,” ka shkruar ai ndër të tjera.
Ai ka përgëzuar edhe tifozët e zjarrtë të Trepçës, Torcidën, për përkrahjen e pandalshme që, sipas tij, mbetet zemra e këtij suksesi.