UBT News

Kurti u jep ministrive edhe 54 orë për raportin për rastin e Arlinda Zekajt

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë për të përfunduar raportin lidhur me trajtimin institucional të rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Kurti ka paralajmëruar se pas shqyrtimit të gjetjeve do të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve të mundshëm, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.

“54 orë nga ky moment i kanë Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë, dhe kjo është rezultat që në seancën e mbrëmshme, kur u votua me 67 vota rezoluta, unë thashë që ata i kanë 72 orë. Natyrisht që do të ketë edhe masa në përputhje me ligjin e me rregulloret”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se raporti duhet të ndriçojë plotësisht rastin, por edhe të shqyrtojë raste të ngjashme, me qëllim të identifikimit të përgjegjësive në secilën hallkë të sistemit të drejtësisë.

“Arlinda Zekaj është dëshmore e betejës për drejtësi në Republikën e Kosovës”, tha Kurti, duke kërkuar hetime ndaj hetuesve, ngritje aktakuzash kur ekziston bazë ligjore dhe gjykime nga gjykatat.

Kryeministri ka vlerësuar se reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të shtyhet më, duke përmendur kritikat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për mangësitë në këtë fushë.

“Reforma e sistemit të drejtësisë nuk është vetëm e rëndësishme, po është urgjente”, theksoi ai.

Kurti u shpreh se institucionet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe të sigurojnë llogaridhënie për çdo dështim të mundshëm.

Në fillim të fjalës së tij, ai shprehu ngushëllime për familjen Zekaj, duke thënë se vrasja e Arlindës ka tronditur shoqërinë dhe ka shtuar kërkesat për drejtësi.

/A.K/

Exit mobile version