Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes Serbisë, duke paralajmëruar për ndalime arbitrare nga autoritetet serbe.
“Ka indikacione për ndalime të pajustifikuara. Prandaj i ftojmë qytetarët për maturi dhe të mos kalojnë nëpër territorin e Serbisë,” tha Kurti.
Ai u shpreh i shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve serbe dhe kërkoi nga Bashkimi Evropian një reagim të qartë ndaj, siç i quajti ai, kërcënimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas Kurtit, Beogradi po dëshmon mungesë të vullnetit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“E ftojmë BE-në të reagojë qartë ndaj kërcënimeve të Vuçiqit. Serbia po dëshmon se jo vetëm që nuk është e interesuar në normalizim, por përkundrazi, po intensifikon sjelljet kërcënuese,” shtoi ai.
Kurti theksoi se përballë një klime të tillë të pasigurisë, qytetarët e Kosovës duhet të tregojnë maturi dhe kujdes maksimal në lidhje me udhëtimet e tyre drejt apo përmes Serbisë.