UBT News

Kurti thirrje deputetëve: Të tejkalohen inatet, marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kuvend të enjten, ka kërkuar që pas rikthimit të funksionimit të plotë parlamentar, deputetët të lënë anash pengesat politike dhe të fokusohen te miratimi i marrëveshjeve në dobi të popullit. Duke komentuar aktvendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ai vlerësoi se tashmë janë qartësuar përgjegjësitë dhe kufijtë e secilit institucion.

“Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete të presidentit dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet”, potencoi Kurti, duke shtuar se pas këtij qartësimi nuk ka më boshllëk institucional, por vetëm detyra për të avancuar agjendën legjislative.

Kryeministri u bëri thirrje të gjitha palëve që të mos bllokojnë funksionet e njëra-tjetrës, por të respektojnë ndarjen e pushteteve brenda kornizave kushtetuese.

“Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat apo inatet… ajo çka kërkohet prej nesh janë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjenda që përmirëson jetën e qytetarëve – këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Kurti u ndal te nismat konkrete si Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligji për çmimet tavan, si përgjigje ndaj abuzimeve në treg.

Ai kërkoi bashkëpunimin e opozitës për këto pika, duke vlerësuar se “problemet e përbashkëta kërkojnë zgjidhje të përbashkët… shumë shpejt do ta risjellim këtu për ta votuar dhe presim që edhe opozita ta mbështesë”.

 

Exit mobile version