UBT News

Kurti takon sot Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve të reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të zhvillojë sot takime të ndara në ambientet e Kuvendit të Kosovës me liderët e dy partive kryesore opozitare, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së. Këto konsulta zyrtare mbahen në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Sipas agjendës së përcaktuar, Kurti do të presë fillimisht kreun e PDK-së, Hamzën, në orën 09:00, ndërsa takimi me kryetarin e LDK-së, Abdixhikun, do të zhvillohet në mbrëmje, duke filluar nga ora 18:00.

Për dallim nga Hamza dhe Abdixhiku që iu përgjigjën pozitivisht ftesës së dërguar një ditë më parë, nënkryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka refuzuar këtë takim me arsyetimin se nuk e sheh të nevojshëm. Ky zhvillim vjen pikërisht në kohën kur tashmë ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit, proces që deputetët e rinj duhet ta përmbyllin më së largu deri më 7 gusht.

Nga procesi zgjedhor i 7 qershorit, LVV-ja doli si forca e parë me 53 deputetë, e pasuar nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe Aleanca me 7 mandate. Edhe pse Vetëvendosja ka deklaruar se i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë përmes mbështetjes së pakicave joserbe për të kaluar pragun prej 61 deputetësh, situata mbetet më komplekse sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri. Për këtë post kushtetues kërkohet prania e 80 deputetëve në votim, gjë që e bën të domosdoshme sigurimin e pjesëmarrjes në sallë të PDK-së ose LDK-së brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit. /E.A/

Exit mobile version