Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë pritur në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për të diskutuar rreth planeve të investimeve strategjike.
Në fokus të takimit ishte zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili parasheh një plan investimesh prej 400 milionë eurosh deri në vitin 2027, me synim avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Gjatë bisedës u trajtuan projektet prioritare që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, përfshirë infrastrukturën rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, sistemet e ujësjellësit, si dhe efikasitetin e energjisë dhe transportin publik.
Në komunikaten për media nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se palët shqyrtuan edhe mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të financimit gjatë periudhës 2026–2027, në mënyrë që dinamika e punëve të mbetet aktive.
Gjithashtu, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni financiar, duke e cilësuar partneritetin me BERZh-in si jetik për realizimin e reformave ekonomike dhe projekteve strategjike.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BERZh-it riafirmuan gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
