“Krejt çka dëshiroj është që muzika ime të lëjë gjurmë te njerëzit, qoftë gëzim apo melankoli. Thjesht unë dua që njerëzit ta ndjejnë muzikën time”, tha këngëtari shqiptar që jeton në Zvicër gjatë bisedës me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin në zyrën e tij.
Kryeministri Kurti e përgëzoi këngëtarin për emocionet që iu dhuron njerëzve me zërin e tij të kristaltë dhe për përfaqësimin dinjitoz dhe arritjen kulminante në garën e Eurovisionit 2020, ku ai përfaqësoi Zvicrën, me këngën “Tout l’univers”.
“Arritja më e madhe e një artisti është kur arti i tij stepë pa joshje shikuesin apo dëgjuesin. Ti Gjoni e ke arritur këtë në ‘Eurovision’”, i tha kryeministri fituesit të vendit të tretë të garës evropiane të këngës.
Gjon Muharremaj e falënderoi kryeministrin për vlerësimin dhe tha se është i lumtur që më interpretimin e tij e ka bërë krenar popullin shqiptar kudo që është. “Për mua merr më shumë kuptim kjo krenari meqenëse unë jam fëmijë i një babai nga rrethina e Suharekës në Kosovë dhe e një nëne nga rrethina e Tiranës, në Shqipëri”, tha ai.
Gjon Muharremaj, performon me nofkën Gjon’s Tears (Lotët e Gjonit). Ky emër i referohet një përjetimi të fëmijërisë, kur si nëntëvjeçar kishte performuar në piano për gjyshin e tij, të cilit i kishin rrjedhur lotët nga emocioni teksa i nipi këndonte.
Këngëtari 23- vjeçar, që me zërin e tij unik ka fituar admirimin e miliona adhuruesve anekënd globit e njoftoi kryeministrin për planet që i ka në të ardhmen, ofertat e shumta muzikore dhe koncertet që planifikon t’i realizojë në vendlindjet e prindërve, si edhe nëpër shtete të tjera të Evropës, gjithnjë duke i respektuar masat për parandalimin e përhapjes së variantit të ri të virusit. “Po provoj të jem një dritë e vogël në këtë situatë të pandemisë”, tha ai.