UBT News

Kurti takon Costan: Kosova e gatshme për statusin e vendit kandidat në BE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, dy ditë para mbajtjes së Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Costan për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se BE-ja mbetet donatori dhe partneri kryesor zhvillimor i vendit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti vuri në pah progresin e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe zhvillimin demokratik, si dhe rritjen ekonomike që, sipas tij, është ndër më të shpejtat në rajon.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e reformave që burojnë nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin me institucionet evropiane, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Kurti theksoi se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke rikujtuar se vendi ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe u është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse.

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, në Prishtinë, pas asaj të realizuar në maj të vitit të kaluar.

Exit mobile version