Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti mbrëmë në një darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, fokusi kryesor i takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe reformat e nevojshme në këtë rrugëtim.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e linjëzimit të plotë të politikës së jashtme të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian, si një përcaktim strategjik i vendit. Po ashtu, një vend të rëndësishëm në bisedime zuri edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, krahas angazhimit të institucioneve për përmbushjen e reformave evropiane.
Përveç agjendës integruese, Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm Sørensen diskutuan edhe për aktualitetet e fundit politike dhe zhvillimet e brendshme në vend. Në këtë takim, Kryeministri ishte i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë të kabinetit të tij.
