Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Aty u diskutua mbi rrugën e integrimit të vendit tonë në BE, mos konstituimin e Kuvendit dhe arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga Serbia.
Kurti informoi ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë për performancën ekonomike të vendit dhe rezultatet e politikave të qeverisë përgjatë pjesës së parë të këtij viti.
Ai tha se qarkullimi i bizneseve për gjashtë muajt e parë të vitit ka arritur vlerën 10.7 miliardë euro, duke shënuar një rritje 10.3%. Shpenzimet kapitale të qeverisë gjatë këtyre gjashtë muajve të parë janë 24% më të larta sesa në gjysmën e parë 2024.
Në çerekun e parë 2025, ekonomia është rritur për 3.61% të Bruto Produktit Vendor, tha ai.
Kurti ka folur edhe mbi numrin e bizneseve të reja të regjistruara këtë vit, si dhe veçoi të dhënat e fundit nga skema e punësimit “Qeveria për Familjet”, anëtarësimin e Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë dhe në Aleancën Evropiane për Praktikën Profesionale.