Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në ShBA ka zhvilluar një takim në New York me Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, ku u diskutua për partneritetin dypalësh, ecurinë ekonomike të vendit dhe sfidat globale.
Gjatë takimit, Kurti theksoi se agjenda reformuese e Qeverisë synon krijimin e vendeve cilësore të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, përmes rritjes së produktivitetit, investimeve dhe eksporteve. Si prioritete kryesore ai përmendi zgjerimin e programit “SuperPuna për Gratë” dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të arsimit dual.
Kryeministri prezantoi edhe treguesit ekonomikë të vendit gjatë këtij viti, duke veçuar rritjen ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në të dytin.
Në fokus të bisedës ishin edhe sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale, si rritja e çmimeve të naftës dhe kriza energjetike, si dhe masat e nevojshme për përballimin e tyre. Kurti e falënderoi znj. Georgieva për bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
