UBT News

Kurti takohet me Erdoğanin në New York, flasin për mbrojtjen, ekonominë dhe Hagën

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takimi dypalësh me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi presidentin turk për mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë në shtetndërtim, fuqizimin ushtarak, diplomaci, si dhe për përkrahjen drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO. Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe rolit të Turqisë në KFOR për garantimin e sigurisë në vend.

Në rrafshin ekonomik, u nënvizua se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë arritur në 1 miliard dollarë, me synim rritjen e mëtejshme. Ndër investimet kyçe strategjike u përmendën nisja e punimeve për fabrikën e re të municionit në Gjakovë dhe Parku i Energjisë së Erës në Rahovec, të realizuara në partneritet me kompani turke.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe Aktgjykimi i Gjykatës Speciale. Kryeministri Kurti e cilësoi verdiktin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë juridikisht e moralisht, si dhe të pasaktë historikisht e faktikisht, duke shprehur nevojën që ai të korrigjohet në shkallën e Apelit.

Ndërsa së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, u ngrit shqetësimi për diskriminimin sistematik nga Serbia ndaj shqiptarëve atje — përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe mospërfaqësimin institucional. Kurti theksoi se simetria e të drejtave të pakicave është rruga e vetme për trajtim të barabartë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u zotuan të thellohen më tej, ndërsa në përmbyllje të takimit, Kryeministri Kurti i dërgoi ftesë zyrtare Presidentit Erdoğan për të vizituar Kosovën.

 

Exit mobile version