Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se takimi me presidentit serb Aleksandar Vuçiq është për vendosjen e kapitullit të ardhshëm për dialogun, e jo vazhdim i dialogut të mëhershëm.
Kreu i qeverisë tha se para takimit të tij të parë me Vuçiq do të mbajnë një seancë në Kuvendin e Kosovës për diskutimin e marrëveshjeve të kaluara dhe zbatimin e tyre.
Sipas tij, takimi i ardhshëm është takim për dialogun e ardhshëm, e jo vazhdim i dialogut të mëhershëm
“Ndërkaq, takimi në Bruksel nuk është vazhdim i dialogut, por është takim i parë, ku për herë të parë do ta kem përballë presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë, nëse përjashtojmë tryezën me mbi 30 veta në shkurt 2020 në Munih të Gjermanisë. Ky është takim i parë dhe aty mund të shohim çfarë mund të ketë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”, tha ai.
Këto komente, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i bëri pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për mbajtjen e datës për zgjedhje lokale.
Ai, para gazetarëve tha se më herët që mbahen zgjedhjet, aq më mirë është, por sipas gjitha gjasave të njëjtat do të mbahen në muajin tetor.
I pyetur për kandidaturën e Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Kurti tha se atë e cakton Këshilli i Qendrës së partisë në kryeqytet./UBTNews