Institucionet e Kosovës janë aktualisht në pritje të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa vendi pret këtë vendim që do të përcaktojë fatin e legjislaturës, Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për stabilitet, duke kërkuar një marrëveshje politike me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Kurti theksoi para mediave se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër cikël zgjedhor të dendur, duke kujtuar se gjatë vitit të kaluar vendi kaloi nëpër katër palë zgjedhje.
“Kemi një çështje tani që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vije në faktin që në vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje dhe unë jam i bindur që nuk kemi nevojë që ta përsërisim vitin 2025. Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.
Për të shmangur zgjedhjet e sërishme dhe për të siguruar funksionimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës, Kryeministri njoftoi se ftesat për liderët e opozitës do të dërgohen menjëherë.
“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe unë qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, shtoi ai, duke insistuar se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut brenda spektrit politik.
