UBT News

Kurti: S’kam pritur asnjëherë drejtësi nga Specialja, këtë javë i përgjigjemi nismës së PDK-së

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka pritur asnjëherë drejtësi nga Gjykata Speciale, ndërsa bëri me dije se Qeveria do t’i përgjigjet brenda kësaj jave iniciativës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Nisma e PDK-së u procedua në Kuvend dhe Qeveri pas dënimit me 81 vjet burgim në total për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, me synim që çështjet që nuk ndërlidhen me akuzat për trafikim organesh të barten për gjykim në shkallët e tjera brenda Kosovës.

Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti konfirmoi se propozimi i PDK-së është dërguar për shqyrtim në ministritë përkatëse.

“Është procedurë e rregullt. Nuk duam të bëjmë shkelje, s’kemi pse. Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë, këtë javë do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, po ashtu edhe vlerësimin financiar të buxhetit nga Ministria e Financave e menjëherë do ta përcjellim për Kuvend”, deklaroi kryeministri Kurti.

Kryeministri ritheksoi se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i panderruar, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe gjetjet e shkallës së parë.

“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën. Akuza e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet medoemos të korrigjohet në apel. Ka munguar transparenca, përveç se gjykatë mono-etnike. Dhe e treta janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që dëgjuam më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe. Por vendimi i plotë është mijëra faqe”, sipas Kurtit.

Sa i përket krizës politike dhe afatit të fundit të 6 tetorit për zgjedhjen e shefit të shtetit, Kurti u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke e ndërlidhur këtë me votimin e përbashkët në Kuvend gjatë ditës së hënë:

“Është e domosdoshme të kemi takime të reja. Do të kemi takime. Dhe shpresojmë që dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë më tej. Jam optimist se e kam parë të hënën. Nuk do ta kisha këtë optimizëm nëse të hënën nuk do ta kishim miratuar me 99 vota për atë Deklaratë”, deklaroi Kurti.

 

Exit mobile version