UBT News

Kurti: Qeveria do të mbështesë nismat për zvogëlimin e hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve

Ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa u përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara“, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e një Qendre të re të Komunitetit dhe Mësimit në Fushë Kosovë.

Qendrat mësimore si kjo e juaja kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e këtij hendeku, duke mobilizuar potencialin e komunitetit që t’i ndihmojë pjesëtarët e vet. Por, në krah do ta keni edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të hezitojë t’i mbështes nismat e tilla”, tha kryeministri Kurti.

Këtë vit, për herë të parë, MAShTI do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa vitin tjetër, kryeministri tha se do të bëhen përpjekje që kjo shumë të rritet.

Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program, sipas kryeministrit, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri”, tha kryeministri Kurti.

Projekti për ndërtimin e Qendrës për Komunitetin i nisur vitin e kaluar nga organizata “The Ideas Partnership”, është ndihmuar nga donatorë dhe institucione ndërkombëtare e vendore, por ka mbetur në gjysmë të rrugës për t’u përfunduar.

Qendra ka për qëllim të mbështesë rreth 300 fëmijë në edukim, për të zgjeruar njohuritë dhe për t’u bërë agjentë të ndryshimeve pozitive për komunitetin e tyre.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Shkëlqesia Juaj, ish-Presidente e Republikës së Kosovës,  znj. Atifete Jahjaga,

Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Abbott,

I nderuar Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi,

E dashur Elizabeta,

Miq të dashur,

Kam kënaqësinë të jem sot në mesin tuaj për të shënuar së bashku progresin në ndërtimin e qendrës së re të komunitetit, këtu në Fushë-Kosovë, e cila njëkohësisht do të shërbejë si qendër mësimore për fëmijët e komunitetit.

Në dy dekadat e kaluara është bërë punë e madhe në avancimin e pozitës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në të gjitha sferat e jetës, e në veçanti në fushën e arsimit, ku tanimë 45% të fëmijëve të grup-moshës përkatëse vijojnë arsimin parafillor, 84% atë fillor, 64% arsimin e mesëm të ulët, ndërsa 31% arsimin e mesëm të lartë. Meritat për këto arritje, në masë të madhe, i takojnë institucioneve të Kosovës por dhe organizatave të shoqërisë civile, siç është “The Ideas Partnership”, të cilat kanë punuar pa rreshtur për të krijuar kushte që fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian të vijojnë mësimin me rregull. Kuptohet, nuk duhet t’i harrojmë edhe partnerët tonë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur këtë proces me fonde dhe me ekspertizë, për çka ju jemi përjetësisht mirënjohës e falënderues.

Megjithëkëtë, e kemi të qartë se akoma ekziston një hendek i gjerë në mes të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë nga njëra anë dhe komuniteteve të tjera, sa i përket arritjeve në fushën e arsimit. Ky hendek është rritur akoma më shumë gjatë pandemisë, pasi mundësitë e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të ndjekur mësimin online kanë qenë më se të kufizuara. Qendrat mësimore si kjo e juaja kanë kontribuar dhe do të kontribuojnë në zvogëlimin e këtij hendeku, duke mobilizuar potencialin e komunitetit që t’i ndihmojë pjesëtarët e vet. Por, në krah do ta keni edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila nuk do të hezitojë t’i mbështes nismat e tilla.

Këtë vit, për herë të parë, MAShTI do të ndajë një fond prej 200 mijë euro për organizatat e shoqërisë civile me bazë në komunitet që mbështesin punën e qendrave mësimore, ndërsa vitin tjetër do të bëjmë përpjekje që kjo shumë të rritet. Ndihma profesionale që ofrojnë këto qendra mësimore do të jetë me rëndësi që fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të mos ngecin në mësime dhe, në këtë formë, të inkurajohen ta vazhdojnë shkollimin. Po ashtu, këtë vit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, janë ndarë bursa për 596 nxënës të shkollave të mesme të larta dhe ky program do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në arsimin e lartë publik do të vazhdojmë me diskriminimin pozitiv në kuptim të kuotave të rezervuara dhe dhënien e bursave për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por prej këtij viti studimet e larta në sektorin publik do të jenë më të përballueshme, pasi ato do të jenë pa pagesë për të gjithë, pa diskriminuar asnjë njeri.

Përmes ndërtimit të kopshteve të reja dhe adaptimit të hapësirave në shkolla, jemi duke punuar që të rritet pjesëmarrja në edukimin parashkollor, gjë që do të ndikojë në përgatitjen më të mirë të fëmijëve për shkollimin e detyruar dhe, besoj se efektet e kësaj politike të re do të vërehen shumë shpejtë tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

Kur familja jeton në kushte të vështira ekonomike, shkollimi i fëmijëve mund të duket si luks. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se shkollimi dhe dija janë rruga e vetme për dalje nga qarku i varfërisë. Prandaj, ju inkurajoj të gjithëve që përkundër vështirësive evidente, të vazhdoni shkollimin tuaj, sepse kështu siguroni një burim të të ardhurave për vete dhe për familjen. Njëkohësisht, e përgëzoj organizatën “The Ideas Partnership” që ju ofron mbështetje në këtë rrugëtim jo të lehtë. Uroj që kjo qendër e komunitetit të funksionalizohet sa më parë, duke ofruar një mjedis ku do të ndiheni mirë, do të punoni bashkë dhe do t’i gëzoheni sukseseve të njëri-tjetrit.

Exit mobile version