UBT News

Kurti propozon themelimin e Xhandarmërisë për forcimin e sigurisë në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjendja e sigurisë në vend dhe në nivel global po ndryshon me shpejtësi, duke theksuar se sfidat aktuale kërkojnë qasje të re dhe më të avancuar institucionale.

Në një konferencë për media, Kurti tha se sfidat e sigurisë nuk janë më të njëjta si në të kaluarën, duke përmendur grupe të armatosura, kontrabandën ndërkufitare dhe përdorimin e teknologjive moderne si faktorë rreziku.

Ai theksoi se gjendja e sigurisë në nivel global, rajonal dhe në Kosovë po evoluon me shpejtësi, duke shtuar se ndër sfidat kryesore përfshihen grupet e armatosura me organizim paraushtarak dhe kontrabanda e vazhdueshme me armë dhe mallra përgjatë vijës kufitare.

Kurti përmendi gjithashtu forma të reja kërcënimi që lidhen me teknologjinë dhe infrastrukturën kritike, përfshirë përdorimin e dronëve dhe mbikëqyrjen e terrenit.

Ai vlerësoi punën e Policisë së Kosovës, por tha se mandati i saj ka kufizime në përballjen me rreziqe të nivelit më të lartë, pasi fokusohet kryesisht në rendin publik, parandalimin dhe hetimin e krimit.

Kurti përmendi edhe disa sulme të viteve të fundit në veri të vendit, përfshirë sulmin në Banjskë dhe incidente të tjera ndaj institucioneve të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, ai propozoi themelimin e një strukture të re të sigurisë, Xhandarmërisë, e cila sipas tij do të plotësonte boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas Kurtit, Xhandarmëria do të kishte mandat të qartë në sigurimin e kufirit tokësor, ujor dhe ajror, operacionet kundër grupeve të armatosura, luftimin e kontrabandës ndërkufitare dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Ai tha se modeli i Xhandarmërisë bazohet në praktikat evropiane, duke përmendur Francën, Italinë, Turqinë, Spanjën dhe Portugalinë si shembuj.

Kurti shtoi se grupi punues për këtë iniciativë është duke i analizuar të gjitha aspektet e formimit të Xhandarmërisë dhe se propozimi pritet të dërgohet në Kuvend pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Themelimi i saj, sipas tij, do të bëhet me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës.

Exit mobile version