Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shkrimtarët dhe kuratorët Dan Hicks dhe Françoise Vergès, të shoqëruar nga studiuesja letrare Diona Budima.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i përgëzoi mysafirët për diskutimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në kuadër të programit “Në bisedë”, të moderuar nga Budima.
Dan Hicks është profesor i arkeologjisë bashkëkohore në Universitetin e Oksfordit dhe kurator në Pitt Rivers Museum, ndërsa Françoise Vergès njihet si aktiviste feministe, shkrimtare, kuratore e pavarur dhe autore e shumë botimeve mbi kulturën, historinë dhe drejtësinë shoqërore.
Sipas njoftimit, të dy kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në debatet ndërkombëtare mbi trashëgiminë kulturore, kujtesën historike dhe rolin e institucioneve kulturore në shoqëri./A.K/
