UBT News

Kurti pret legjendën e Prishtinës, Xhevdet Muriqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij legjendën e FC Prishtinës, Xhevdet Muriqi, me të cilin ka kujtuar vitet e arta të klubit nga kryeqyteti.

Kurti ka treguar se Muriqin e ka përcjellë nga afër në stadium, por edhe përmes radios e televizorit, ndërsa takimi i tyre i ka rikthyer te ndeshjet, emocionet dhe golat e paharrueshëm të viteve të 80-ta.

Gjatë bisedës, ata kanë diskutuar edhe për figura të njohura të asaj gjenerate, si Fadil Vokrri, Kujtim Shala dhe trajneri Qiro Bllazheviq, si dhe për vëllain e Xhevdetit, Fadil Muriqin, i cili jeton në Australi.

Muriqi kaloi 28 vite duke jetuar e punuar në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, ndërsa vitin e kaluar u rikthye për të jetuar në Kosovë.

Kurti ka thënë se FC Prishtina në atë kohë i mblidhte tifozët në stadium, por edhe pranë radios e televizorit, ndërsa sukseset dhe humbjet e klubit përjetoheshin me të njëjtin emocion.

Në takim është diskutuar edhe për futbollin aktual, me Kurtin dhe Muriqin që kanë folur për paraqitjet e fundit të Kosovës, ngritjen e përfaqësueses dhe ndeshjet e radhës që e presin Kosovën gjatë muajit nëntor.

D.L

Exit mobile version