UBT News

Kurti pret komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim zyrtar komandantin e misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Ky takim ka rastisur pikërisht në ditën e certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Me këtë rast, në nisje të bashkëbisedimit, gjeneralmajor Ulutaş ka uruar kryeministrin Kurti për fitoren e arritur në këto zgjedhje.

Sipas komunikatës zyrtare, gjatë takimit u diskutua gjerësisht për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Krahas zotimit të përbashkët për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, Kurti dhe Ulutaş vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet institucioneve vendore dhe KFOR-it, si dhe shprehën gatishmërinë për zgjerimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të këtij partneriteti. /E.A/

Exit mobile version