UBT News

Kurti: Presim që ekspertët ta përmbyllin këto ditë draftin e ri të Ligjit për Dhomat e Specializuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është në pritje që ekspertët ta finalizojnë draftin e ri të Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas dakordimit të arritur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për vazhdimin e kësaj nisme ligjore.

Duke folur pas ceremonisë solemne për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Kurti u shpreh se dokumenti pritet të përfundojë brenda kësaj jave.

Lidhur me këtë çështje, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, kishte deklaruar të enjten, pas takimit me Kurtin dhe ish-kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, se drafti i ri do të mbështetet në tekstin e miratuar nga Kuvendi në dy lexime, duke integruar propozimet e partisë së saj si dhe sugjerimet e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.

Sipas Çitakut, këto ndryshime kanë për qëllim ta bëjnë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe më të zbatueshëm në praktikë, teksa kërkoi falje për vonesat dhe paqartësitë që e kanë shoqëruar procesin. Paralelisht me këtë, Grupi Punues Shtetëror do të vijojë punën edhe për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes në Apel. /E.A/

Exit mobile version