Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Shefen në Detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të Misionit të Ekspertëve Zgjedhorë mbi zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare.
Gjatë këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart procesin zgjedhor të 28 dhjetorit, duke konfirmuar se Kosova ka dëshmuar pjekuri demokratike duke organizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe sipas standardeve evropiane.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e misionit vëzhgues dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë të Qeverisë për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet e dala nga ky raport.
Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua sfidave të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në informacion, të cilat u shfaqën përmes lajmeve të rreme, sondazheve të fabrikuara dhe materialeve të manipuluara vizualisht.
Kurti theksoi se këto forma të manipulimit kanë për qëllim ndikimin në perceptimin publik dhe dëmtimin e besimit në proceset zgjedhore, andaj kërkoi një qasje më proaktive për t’i luftuar këto dukuri.
Ai po ashtu rikujtoi se zgjedhjet e ndershme janë shtylla kryesore e kritereve të Kopenhagës, të cilat Kosova i ka përmbushur në mënyrë të vazhdueshme.
Në përfundim të takimit, kryeministri kërkoi që këto gjetje pozitive të pasqyrohen qartë edhe në Raportin e Vendit të Komisionit Evropian për vitin 2026, si dëshmi e progresit demokratik të vendit.
