UBT News

Kurti: Përpjekjet e Serbisë për minim të sovranitetit dhe integritetit territorial, kërcënim serioz

Në edicionin e 8-të të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti, bëri thirrje që në këtë projekt të unifikuar duhet të bashkëpunojmë sa më ngushtë jo vetëm me ministrin por edhe vetë me njëri-tjetrin. Kurti tha se urat e bashkëpunimit duhet të ndërtohen vazhdimisht gjatë gjithë vitit.

“Kjo shpërndarje e gjerë e përfaqësive përbën njëkohësisht edhe avantazh edhe sfidë. Avantazhi është se i mundëson shtetit tonë që të ketë 53 zëra të fuqishëm nëpër botë për të shtyrë përpara interesat më të rëndësishme të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sfida kryesore është se si të gjejmë një mënyrë që këta zëra tuaj të mos funksionojnë të pa ndërlidhur me njëri-tjetrin, por në harmoni të plotë si një kor i vetëm me ministrin këtu në Prishtinë në rolin e dirigjentit. Në këtë projekt të unifikuar duhet të bashkëpunoni sa më ngushtë jo vetëm me ministrin por edhe me njëri-tjetrin. Urat e bashkëpunimit duhet të ndërtohen vazhdimisht gjatë gjithë vitit”, tha Kurti.

Ndër të tjera Kurti theksoi se përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës mbeten një kërcënim serioz.

“Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare. Lufta propagandistike e Serbisë, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike në çdo skaj të botës mesazhe të rrejshme. Duke marrë parasysh këtë veprimtari, juaja si përfaqësues të Kosovës është jetike për mbrojtje”, u shpreh ai.

E pranishme ishte edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila tha se takimi me përfaqësuesit diplomatikë ka për qëllim përmbledhjen e punës së bërë, vlerësimin e rezultateve dhe përcaktimin e hapave për vitin e ardhshëm.

“Ky është takimi ku përmbledhim punën e bërë, vlerësojmë rezultatet dhe përcaktojmë hapat për vitin që vjen. MPJD ka kaluar një reformë thelbësore duke vendosur standarde të reja të transparencës dhe menaxhimit të përgjegjshëm financiar. Sot çdo euro e buxhetit përdoret me plane të qarta të arsyetuara dhe me kontroll të plotë. Kemi arritur të ulim shpenzimet e panevojshme. Gjatë këtij viti kemi arritur edhe dy njohje të reja të shtetësisë së Kosovës duke forcuar pozicionin ndërkombëtar. Kemi siguruar anëtarësimin në një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare duke zgjeruar hapësirën ku Kosova është e pranishme dhe aktive”, tha Gërvalla.

Edicionin e 8-të të Konferencës së Ambasadorëve është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë.

 

Exit mobile version