UBT News

Kurti për varrimin e Mlladiqit: Serbia ka kaluar në glorifikim shtetëror të gjenocidit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq, duke akuzuar Beogradin zyrtar për glorifikim shtetëror të një krimineli të dënuar për gjenocid.

Kurti ka krahasuar zhvillimet e fundit në Kosovë me ato në Serbi, duke përmendur 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut.

Në anën tjetër, ai ka thënë se Serbia fundjavën e ka kaluar duke u përgatitur për ceremoninë e Mlladiqit.

“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dokumentuar përmes dëshmive, identifikimeve forenzike dhe dokumentimit të krimeve.

Kurti e ka krahasuar Mlladiqin me ish-presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq, duke e cilësuar atë si një prej figurave kryesore të aparatit ushtarak të tij.

Ai ka kritikuar gjithashtu ceremoninë e organizuar për Mlladiqin, duke thënë se Serbia ka kaluar nga mohimi i krimeve në glorifikimin e tyre.

“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Në fund, ai ka deklaruar: “Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”./A.K/

Exit mobile version