Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme do të nisin komunikimet me partitë politike me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.
Deklaratën Kurti e bëri të martën, pasi mori pjesë në edicionin e 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH” në Prishtinë.
I pyetur nga gazetarët për hapat e ardhshëm pas procesit zgjedhor, ai u shpreh shkurt se kontaktet politike do të fillojnë sapo të përfundojë certifikimi i rezultateve.
“Porsa të certifikohen rezultatet, fillojmë komunikimet menjëherë”, tha Kurti.
Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur pritet përmbyllja e procedurave zgjedhore dhe certifikimi zyrtar i rezultateve, që do t’i hapte rrugë konsultimeve për konstituimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë së re.
Sipas të dhënave aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës ka 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 18, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 ulëse. /Kosovapress/A.K/
