Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të respektohet nga të gjithë dhe vullneti i qytetarëve të përkthehet sa më shpejt në institucione funksionale e demokratike.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur këtë të mërkurë, Kurti theksoi se vota e qytetarëve ishte një mesazh i qartë. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, duke shtuar se vetë rezultati i fundit e dëshmoi një gjë të tillë.
“Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike për zhvillim e mirëqenie”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, hapat konkretë drejt formimit të strukturave të reja udhëheqëse do të nisin menjëherë pas përmbylljes së procesit zyrtar nga KQZ-ja.
“Porsa të certifikohet rezultati, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve – konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit/es”, u shpreh ai.
Nga procesi zgjedhor i 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe AAK-ja me 7 deputetë. /E.A/
