UBT News

Kurti: Parashohim reformë të thellë të Qendrave për Punë Sociale

Kryeministri, Albin Kurti, ka paralajmëruar reformë të thellë të Qendrave për Punë Sociale në Kosovë.

Në konferencën e dytë nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale, Kurti tha se prioritet i qeverisë së tij është mbrojtja sociale e qytetarëve, derisa u zotua se përmes shtimit të kapaciteteve do t’i fuqizojnë këto qendra, ku përmendi edhe Projektligjin për shërbime sociale, i cili është në agjendën legjislative të ekzekutivit.

“Në kuadër të Agjendës Legjislative e kemi Projektligjin për shërbimet sociale, që parasheh reformë të thellë të Qendrave për Punë Sociale. Për këtë kemi bashkëbiseduar me shumë nga ju në takimin e muajit të kaluar në Kryeministri. E grupi punues tashmë po bën një analizë të detajuar të gjendjes në këto qendra, në raport me përgjegjësitë, sfidat dhe kapacitetet njerëzore dhe profesionale. Bashkë po synojmë fuqizimin e qendrave përmes shtimit të kapaciteteve, obligimin për profilizimin e stafit në përputhje me nevojat e qytetarëve. E Qeveria jonë, krahas politikave zhvillimore, e ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët tanë, me programe adekuate dhe sidomos të qëndrueshme, pra afatgjate. Jo vetëm tejkalim të problemit, por edhe mos përsëritje të tij”, tha ai.

Reformën në Qendrat për Punë Sociale e nënvizoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se do të jenë të hapur për bashkëpunim me akterë të ndryshëm.

“Qasja jonë si ministri dhe qeveri do të jetë e hapur dhe bashkëpunuese me akterë të ndryshëm institucional dhe të shoqërisë civile në mënyrë që të realizojmë reformën të cilën edhe po e synojmë”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport iu ofrojë përkrahje Qendrave për Punë Sociale, të cilat tha se kanë vështirësi, kryesisht mungesë të kapaciteteve, burimeve njerëzore dhe financiare.

“Përfshijë si vështirësi mungesën e kapaciteteve, burimeve njerëzore, financiare por edhe shpeshherë mungesë të objektit të duhur. Po ashtu mungesë të qasjes për persona me aftësinë e kufizuar”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Qendrave për Punë Sociale, Blerim Shabani, renditi gjitha sfidat që QPS-të përballen sot në Kosovë.

“Sot në mungesë fondesh për përkrahje direket për klientët janë para provave shumë të vështira për zgjidhje. Profesionistët e shërbimeve sociale janë të ekspozuar para rreziqeve të përditshme me paga të ulëta dhe jo dinjitoze. Të pa përkrahur me punën e kujdestarisë gjatë orëve të natës, të rrezikuar nga djegia profesionale dhe të përkrahur për të mbrojtur nga shëndeti mendor dhe shumë sfida të tjera”, tha Shabani.

Sot më 21 mars është Dita Botërore e Qendrave për Punë Sociale.

Exit mobile version