UBT News

Kurti nga Samiti i Brukselit: Nuk kërkojmë favore, por njohje të progresit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se kjo nuk përbën favor, por meritë bazuar në rezultatet e arritura.

Në prononcimin e tij para gazetarëve në hyrje të Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti u shpreh se pret diskutime konstruktive për të ardhmen evropiane të rajonit, ndërsa kujtoi se në dhjetor bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës në Pragë.

“Sa i përket Kosovës, ne presim statusin e kandidatit për shtetin tonë. Është vonuar shumë. Në dhjetor do të bëhen 4 vjet qëkur kemi aplikuar për pranim në BE. Vetë e kam dorëzuar në Pragë gjatë presidencës çeke… jemi i vetmi shtet pa statusin e kandidatit. S’po kërkojmë shpërblime, privilegje ose favore. Po kërkojmë të njihet progresi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare, dhe jemi ose në majë ose së dyti në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për indekset e demokracisë”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se marrja e statusit të kandidatit ka qenë gjithmonë e rëndësishme, por tashmë është shndërruar në “çështje urgjence”.

Në fund, kryeministri Kurti shprehu pritjen që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në muajin dhjetor, Komisionit Evropian t’i kërkohet zyrtarisht opinioni lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. /E.A/

Exit mobile version