Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se transformimi digjital në të cilin po punon qeveria do të sjellë benifite të shumta si për shtetin ashtu edhe për shoqërinë.
Në konferencën ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber ZERO”, shefi i ekzekutivit ka thënë se digjitalizimi i administratës publike mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e bizneset.
“Për transformimin digjital ka sfida e rreziqe. Përderisa qeverisja dhe ekonomia e digjitalizuara bëhen gjithnjë e më shumë të varura nga mirëfunksionimi i rrjeteve dhe sistemeve të informacioneve, siguria e hapësirës kibernetike bëhet me rëndësi qenësore për funksionimin e shtetit Sulmet kibernetike sot kanë potencial për të shkaktuar dëme me shtrirje të gjerë, duke filluar nga rënia e uebfaqeve, degradimi e ndërprerja e shërbimeve elektronike e deri te cenimi i funksionimit të infrastrukturës kritike dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se qeveria është duke i adresuar rreziqet e sigurisë kibernetike përmes një angazhimi, siç tha ai, shumëdimensional.
“Kësisoj në tetor të vitit të kaluar kemi miratuar ligjin për siguri kibernetike, dhe ligji tash është aprovuar në lexim të parë në kuvend. Ky ligj përcakton përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në vendin tonë”, tha Kurti.