Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Gjatë pjesëmarrjes së tij në një panel diskutimi në kuadër të forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022, Kurti ka thënë se nevojitet një dialog parimor mes Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të përqendruar tek njohja reciproke. Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për nismën Ballkani i Hapur për çka ka thënë se Kosova mbështetet tek Procesi i Berlinit.
Në Bratisllavë, Kurti ka përmendur krimet e luftës dhe pastaj ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“Kemi nevojë për një dialog që do të jetë parimor midis palëve të barabarta, për një marrëveshje ligjërisht detyruese për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar tek njohja e ndërsjellë. Fatkeqësisht Serbia po thotë që nuk do të na njohin kurrë dhe përtej kësaj as nuk i marrin parasysh, nuk i njohin krimet e kryera në të kaluarën, të jem i sinqertë kjo e dytë na ofendon shumë më shumë se e para”, ka thënë Kurti.
Këtu sipas Kurtit është thelbi i problemit, mohimi i krimeve të kryera nga Serbia.
“Këtu e shoh thelbin e problemit, mohimin e krimeve të së kaluarës, krimeve të luftës, gjenocidit e kështu me radhë, megjithatë po përpiqemi shumë në Bruksel bashkë me zotin Lajçak që të arrijmë marrëveshje kur bëhet fjalë për tabela automjetesh me parimin e reciprocitetit, sa i përket energjisë elektrike në veri sepse energjia nuk paguhet atje nga serbët për shkak të strukturave ilegale atje të Serbisë por jo për shkak të qytetarëve, pastaj edhe zhdukjeve të detyrueshme ose zhdukjeve me forcë të njerëzve, kemi 1600 persona të pagjetur megjithatë Kosova është tregim i suksesshëm i luftës çlirimtare të popullit dhe punës së madhe që është bërë në njërën anë, por edhe ndihmës po ashtu nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri .
Ndërsa lidhur me temën e Ballkanit të Hapur dhe kundërshtimin për këtë nismë, Kurti ka thënë se Kosova mbështetet tek Procesi i Berlinit.
“Ballkani Perëndimor është i hapur për NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore, jemi në rregull me këtë dhe mbështetemi shumë tek procesi i Berlinit me një nisje të freskët nga kancelari Scholz, e mbështesim iniciativën e BE-së me vlerat evropiane brenda dhe BE që të na ndihmojë por jo jashtë BE-së dhe më duhet të them që as orientimi politik e as ndjeshmëria politike nuk i besoj atij grupi politikanësh që besojnë tek vetëmjaftueshmëria e Ballkanit perëndimor. Ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jemi anëtarë sa më shpejt që është e mundur”, përfundoi Kurti.
Ndër të tjera Kurti ka thënë se Kosova pret përgjigje pozitive nga Këshilli i Evropës ku ka aplikuar për anëtarësim.