UBT News

Kurti mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Domates në Mamushë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mori pjesë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Domates, edicioni i 16-të, i cili mbahet tradicionalisht në Komunën e Mamushës. Kurti tha se festivali është dëshmi e shpirtit të banorëve të zellshëm të Mamushës, një komunë relativisht e vogël në përmasë, por shembull bereqeti për bujqësinë e Kosovës

“Vetëm përmes skemës së granteve fermerët e Mamushës kanë përfituar 7.5 milionë euro. Kjo përkrahje e jona e ka përmirësuar imazhin për bujqësinë e Kosovës dhe ka shtuar vullnetin te fermerët. Përkrahja do të vazhdojë të rritet sepse nevojat dhe kërkesa janë që prodhimet e Kosovës të jenë të mira, të shumta dhe cilësore”, tha ai.

Ai shtoi se Mamusha është mbështetur dhe ndihmuar, por sipas tij përkrahja për Mamushën do të shtohet edhe më shumë.

“Rritja e mbështetjes, e prodhimit dhe eksportit nënkupton rritje të ekonomisë dhe mirëqenies së fermerit, familjeve të tyre dhe të tjerëve hisedarë në zinxhirin e vlerës. Vetëm gjatë katër viteve të qeverisjes sonë 2021-2024, eksporti i perimeve është rritur për mbi 70%, nga 24 milionë euro sa ishte në periudhën 2017-2020, në 41 milionë euro në këto vitet e fundit”, u shpreh më tej Kurti.

Kurti i përgëzoi fermerët për punën e palodhshme që bëjnë, dhe ua uroj të gjithëve edicionin e Festivalit Ndërkombëtar të Domates.

 

 

Exit mobile version