Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk do të takohet me homologun nga Shqipëria, Edi Rama, këtë javë në Prishtinë nëse nuk mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të dy vendeve. Rama nis një tur ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit dhe ka paralajmëruar një vizitë edhe në Prishtinë.
Mirëpo, Kurti tha se i ka kërkuar Ramës që të mbajnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte anuluar nga ana e kryeministrit të Shqipërisë e që ishte paraparë të mbahej më 14 qershor në Gjakovë e që për Kurtin nuk kishte arsye për një vendim të tillë.
“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama se meqë do të vijë e do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm, ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor në Gjakovë. Të gjitha përgatitjet i patëm bërë, 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen të cilat tash kanë ngelur në sirtar. Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtar sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët, dhe çdo ditë e humbur e pa i nënshkruar këto marrëveshje, është dëm për qytetarët, unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen në këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona, t’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar dhe në këtë mënyrë t’i operacionalizojmë, t’i funksionalizojmë, t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”, tha Kurti.
Kurti tha se Procesi i Berlini është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider politik e institucional sikurse ai që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë proces.
Mirëpo, sipas tij, samiti i radhës i Procesit të Berlinit është në mes të muajit tetor ndërsa nuk dëshiron të vonohet më shume me zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.
“Për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive, nëse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjeve të dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi që ia kam thënë se për takime të ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejt, ne takohemi shumë shpesh nëse shikoni gjatë këtyre më shumë se dy viteve që jemi në qeverisje i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama, nuk lëgon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan, pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm, andaj konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive por jo takimet të tjera”, tha Kurti.
Për të hequr të gjitha dilemat se nuk do të ndodhë një takim mes tij dhe Ramës pa mbledhje të dy qeverive, Kurti u kujdes që ta mbyllë konferencën e tij duke e përsëritur qëndrimin.
“Pra, edhe njëherë unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje”, tha Kurti.
Kryeministri Edi Rama kishte anuluar njëanshëm mbledhjen e dy qeverive natën e 13 qershorit me arsyetimin se nuk mund të mbahet një mbledhje e tij në kohën e ngritjes së tensioneve në veri dhe raporteve të acaruara të shtetit të Kosovës me bashkësinë eurotaltinike.
Ai kishte kërkuar një tjetër format me pjesëmarrjen e dy kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm e të Mbrotjes.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, për të diskutuar pikërisht për këtë situatë e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, pati deklaruar Rama më 13 qershor.