UBT News

Kurti kritikon sistemin e drejtësisë pas vrasjes në Pejë: Kërkon raport urgjent për lëshimet institucionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj sistemit të drejtësisë në vend pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar ngjarjen si rrjedhojë të një zinxhiri lëshimesh institucionale.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti bëri të ditur se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme një raport të detajuar për dështimet e mundshme të hallkave të sigurisë dhe drejtësisë. Raportet duhet të dorëzohen deri nesër në orën 18:00 dhe do të bëhen publike.

“Secila vrasje është e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet përgjegjëse. Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk morën përgjigje, nuk kishte se si të përfundonte ndryshe,” deklaroi kryeministri.

Kurti gjithashtu kritikoi sistemin gjyqësor, duke theksuar se reformimi dhe “drejtimi i drejtësisë” në Kosovë është bërë një urgjencë kombëtare. Sipas tij, drejtësia në vend shpesh ka anuar nga më i fuqishmi në vend që të mbrojë të dobëtin.

Ndërkohë, mbrojtja e viktimave nga dhuna në familje ka qenë pjesë e takimeve urgjente të thirrura nga Ministria e Drejtësisë me institucionet përkatëse të sigurisë, ndërsa i dyshuari për vrasjen tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës./E.A/

Exit mobile version