Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet intensive për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, duke e cilësuar këtë fundjavë si përcaktuese për të shmangur krizën institucionale.
Synimi i mazhorancës është që Kosova të bëhet me kryetar shteti gjatë javës së ardhshme, përpara se të skadojë afati përfundimtar kushtetues më 6 tetor.
Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri të hënën, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare — të katërtat në më pak se dy vjet — të cilat duhet të mbahen më së largu deri më 15 nëntor.
Për të siguruar kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh në sallë, Lëvizja Vetëvendosje po përballet me kushtëzime të forta nga partitë opozitare.
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur gatishmëri për diskutime vetëm me kusht që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale, duke kërkuar kufizimin e mandatit të saj pas dënimeve të fundit ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe rikthimin e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë.
Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të refuzojë takimet pa u plotësuar kërkesat e saj politike, ndërsa me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka pasur takime të reja që prej dështimit të kandidaturës së mëparshme të Bekim Sejdiut. /E.A/
