Kryeministri Albin Kurti deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, ku kanë paraparë 370 milionë euro. Ai theksoi se në buxhetin e paraparë prej më shumë se 3.3 miliardë euro do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se në vitin aktual. Gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për vitin 2024, Kurti në seancë plenare tha se janë planifikuar tre milionë euro për Luginën e Preshevës dhe 742 milionë për komunat e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ftoi deputetë të pozitës dhe opozitës që të mbështesin projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë 370 milionë euro ose 22 për qind më shumë se sa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më së shumti ndonjëherë. Ushtrisë sonë të cilës ia kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3, do të ia shtojmë edhe 600 ushtar më shumë në vitin 2024. Kurse policia jonë që ka 850 policë të rinj gjatë qeverisjes tonë, vitin tjetër do t’i ketë edhe 500 rekrut të tjerë dhe 21,7 milionë euro për investime kapitale ose nëntë milionë euro më shumë se sa këtë vit”, deklaroi ai.
Kurti shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm është “buxhet i komunave”, ku theksoi se tre milionë euro janë paraparë për Luginën e Preshevës.
“Buxheti i komunave në vitin 2021 ishte 547 milionë euro, sivjet është 654 milionë euro. Në vitin 2024 ai do të jetë gati 200 milionë më shumë se sa në vitin e parë të qeverisjes sonë, ose 742 milionë euro. Prej të cilave 635 milionë euro janë grant për komunat nga qeveria, kurse pjesa tjetër janë të hyra vetanake të komunave. Ky buxhet i qeverisë është po ashtu edhe buxhet i komunave. Për më tepër, buxheti i vitit të ardhshëm përsëri do të jetë buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, atij po ja shtojmë edhe një milion krahasuar me vitin aktual. Pra, nga dy në tre milionë euro për vitin 2024”, shtoi ai.
Gjatë qeverisjes së tij, Kurti tha se ekonomisë ju shtuan 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja.
“Vetëm përmes platformës së punësimit ‘Super Puna’, për tetë muaj që nga funksionalizimi i saj janë punësuar mbi 7700 të rinj mes moshës 18 dhe 25 vjeç, që i bie përafërsisht hiç më pak se 1000 të punësuar në muaj. Andaj për të vazhduar me nxitjen e punësimit në sektorin privat, në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit. Ndërkaq, sa i përket sektorit publik siç kemi thënë edhe në shkurt të këtij viti, koeficienti i pagave në sektorin publik për vitin 2024 do të jetë 110 euro”, u shpreh ai në seancë plenare.
Në prezantimin e projekt-buxhetit, Kurti shtoi se kanë paraparë ndarjen e mbi 90 milionë euro për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç.
“Do të vazhdojmë të investojmë në renovimin e spitaleve, në përmirësimin e shërbimeve dhe blerjen e pajisjeve të teknologjisë së fundit ashtu që më të dashurve tanë në momentet më të vështira të tyre të ju mundësohet kujdesi i duhur. Për vitin 2024, ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25 për qind, kurse shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro, përfshirë edhe grantin për komunat. Për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave dhe mbështetjen e të rejave dhe të rinjve me bursa, së bashku me grantin që ju ndahet komunave, sektorin e arsimit do ta mbështesim me 370 milionë euro apo rreth 20 për qind më shumë se sa në vitin 2023. Ministrisë së Drejtësisë ja kemi ndarë 31 për qind më shumë buxhet, ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësisë”, u shpreh ai.
Shefi i ekzekutivit u shpreh se do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera.
“Për vitin tjetër gjithashtu ndamë 14 milionë euro për banimin social, 11 milionë euro për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës nëpër botë dhe 65 milionë euro për bujqësi. Do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore, hekurudhore në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit dhe në kapacitete të reja energjetike, e për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro. Vetëm për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi ndarë 58 milionë euro për investime kapitale, në sport e infrastrukturë për vitin që po vjen. Sepse festën dhe gëzimin për kandidaturën e suksesshme për Lojërat Mesdhetare 2030 duhet ta përcjellim me investime të menjëhershme dhe përgatitje të hershme për një organizim të suksesshëm”, përfundoi Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve dhe për një ekonomi më të fortë.