Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm t’i japin LDK-së edhe 15 nënshkrime për cilindo kandidat që kjo parti propozon. Ai bëri të ditur se ka zhvilluar bisedë edhe me Hatixhe Hoxhën, e cila ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja del me një emër të saj.
Sipas Kurtit, kjo do të mundësonte një garë mes një kandidateje nga shoqëria civile, Feride Rushiti, dhe një kandidati apo kandidateje të LDK-së.
“Kam biseduar me Hatixhe Hoxhën. Ajo është pajtuar të tërhiqet nëse LDK-ja i siguron 15 nënshkrime për kandidaten e saj. LVV-ja do t’i shtojë edhe 15 nënshkrime, duke krijuar kështu mundësinë për një përballje mes një kandidati të shoqërisë civile dhe një kandidati të LDK-së. Sonte mund ta zgjedhim presidentin/en e Kosovës. Unë jam në zyrën e LVV-së pranë Kuvendit, ku LDK-ja mund t’i dorëzojë nënshkrimet. Edhe nëse kanë vetëm 13 apo 14, ne i plotësojmë. Nuk kemi asnjë pengesë për cilindo kandidat që propozon LDK-ja”, ka thënë Kurti.
