Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, gjatë punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Armeni.
Në qendër të bisedës ishin marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe mbështetja e palëkundur e Zagrebit zyrtar për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike. Kurti vlerësoi miqësinë e sinqertë mes dy vendeve, ndërsa të dy liderët theksuan nevojën për një koordinim më të ngushtë politik përballë sfidave të sigurisë në Evropë.
Lidhur me rëndësinë e këtij partneriteti, në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se u diskutua për forcimin e aleancave dhe koordinimit politik ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike.
“U theksua nevoja për forcimin e aleancave dhe koordinimit politik ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë.”
Kryeministri në detyrë Kurti falënderoi homologun kroat edhe për rolin aktiv të Kroacisë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
