UBT News

Kurti bisedon me kongresistë amerikanë: kërkon bazë të përhershme të SHBA-së në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me disa kongresistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në njoftimin e kryeministrit thuhet se marrëdhëniet mes Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të forta se kurrë, duke falënderuar kongresistët për mbështetjen e dy rezolutave në Kongres.

Njëra rezolutë mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, ndërsa tjetra kërkon vazhdimin e pranisë së forcave amerikane në kuadër të KFOR.

Kurti gjithashtu ka ritheksuar kërkesën që Kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, duke e cilësuar si interes strategjik për sigurinë në rajon.

Në takim u diskutua edhe për njohjet nga katër shtetet mosnjohëse të NATO-s, Marrëveshjen Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me SHBA-në dhe procesin për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës.

 

Exit mobile version