UBT News

Kurti bën thirrje për çështjen e presidentit: Të papranueshme zgjedhjet e reja, të gjejmë kompromis

Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së parë të Qeverisë së re, u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe deputetëve të Kuvendit që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai e cilësoi si të pafalshme mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje për këtë çështje.

Sipas Kurtit, një dialog i hapur dhe i sinqertë mes palëve mund të çojë në zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai përmendi marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, duke i vënë theksin sfidës me qëndrimet e disa deputetëve të LDK-së që po hezitojnë ta zbatojnë këtë marrëveshje.

“Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje sërish për të ardhur prapë në të njëjtën pikë. Ju bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se gjetja e një kompromisi politik është plotësisht e mundur dhe sjell rezultate, duke marrë si dëshmi konkrete të këtij bashkëpunimi vetë konstituimin e Kuvendit. /E.A/

Exit mobile version