Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së tij.
Pasi bëri nderime te varri i Deharit, kryeministri Kurti deklaroi se një dekadë pa të është një periudhë e gjatë si për familjen, ashtu edhe për vetë shtetin e Kosovës, për shkak të mungesës së drejtësisë dhe zbardhjes së plotë të rastit.
“Sot, me rastin e 10-vjetorit të mbytjes së tij në burgun e Prizrenit, vendosëm lule dhe bëmë homazhe te varri i shokut tonë, aktivistit dhe studentit shembullor Astrit Dehari. 10 vjet pa Astritin janë shumë për familjen, por janë gjithashtu shumë edhe për Republikën e Kosovës, sepse vazhdon të mungojë e vërteta”, u shpreh Kurti para gazetarëve.
Nderimet e sotme shënojnë një dekadë nga ngjarja tragjike e nëntorit të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa thirrjet e familjarëve dhe opinionit publik për zbardhjen e plotë ligjore të rrethanave të vdekjes së tij vazhdojnë të mbeten aktuale. /E.A/
