Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale rreth deklaratave që i ka dhënë në lidhje me rastin e Astrit Deharit gjatë konferencës për media të hënën e 12 gushtit.
Sami Kurteshi, ka thënë se intervistimi i tij është bërë në cilësinë e dëshmitarit, duke pohuar se i qëndron pas çdo deklarate të bërë në konferencën për media më 12 gusht, derisa shton se i është përgjigjur të gjitha pyetjeve.
“Pikërisht ka qenë një paragraf i përfolur në konferencën për media dhe në shkresën, komunikatën që e ka shpërndarë Lëvizja Vetëvendosje që ka të bëjë me implikimin dhe me urdhërat e dhëna nga maja e shtetit për institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës. Thelbi i pyetjeve dhe i çështjes ka qenë ai sot, do të thotë edhe unë jam përgjigjur në të gjitha pyetjet.. Edhe sot ato që kam deklaruar aty po e deklaroj. Unë jam i bindur dhe ka shumë fakte, jashtëzakonisht shumë fakte të cilat unë i thash në Prokurori se implikimi i funksionarëve të majës së shtetit bashkë me institucionet varëse të saj të sigurisë dhe të drejtësisë është i dukshëm nga të gjitha dëshmitë, provat, dokumentet, deklaratat që deri sot janë në dorë të publikut dhe në dorë të institucioneve….Unë jam njëri nga personat që e përcjellë rastin”, ka thënë Kurteshi.
Ai ka thënë se ka parë mijëra faqe që dëshmojnë se Astrit Dehari është vrarë.
“ Janë mbi tre mijë faqe dokumente të ndryshme, prova, analiza, rekomandime, dokumente të ndryshme në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre unë, të gjitha ato që kam mundur me i siguru unë i kam lexu, i kam përpunu, i lexoj vazhdimisht, unë e përcjell rastin Dehari për arsye më të ndryshme dhe aty ka me qindra dëshmi dhe fakte që vërtetojnë bindjen time për atë që po flas se rasti Astrit Dehari është vrasje e plotë, vrasje e drejtpërdrejtë me urdhër nga lartë”, ka thënë Kurteshi.
Ndërsa, avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi kur është pyetur se çfarë është duke ndodhur me mostrat e Astrit Deharit, ka deklaruar se nuk mund të thotë asgjë konkrete rreth asaj se çfarë mostra janë zhdukur, e çfarë janë gjetur.
“Prokurori që e ka pas rastin rreth katër vite, Afrim Shefkiu nuk është përgjigjur asnjëherë për kërkesat e mia, përfaqësues ligjor i familjes së Astrit Deharit dhe për këtë arsye ne nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar se çfarë ka ndodhur edhe me rastin e zhdukjes së një pjese të mostrave të Astrit Deharit edhe me rastin e njoftimeve mediale që një pjesë e tyre janë gjetur. Kështu që unë nuk mund të ju them asgjë konkretisht bazuar se çfarë mostra janë zhdukur, çfarë mostra janë gjetur, kur ato janë zhdukur, kur ato janë gjetur sepse Afrim Shefkiu së paku në vitet e fundit prokurori i rastit ka qenë hermetikisht i mbyllur dhe me dhjetëra e dhjetëra kërkesa që kanë të bëjnë me rastin e vrasjes së Astrit Deharit ai e ka gjetur thjeshtë një metodë të themi që të mos përgjigjet fare dhe në momentin që nuk përgjigjet fare ne na ka mbetë që vetëm t’i përsërisim kërkesat tona në formë të urgjencës me shkrim, por prapë se prapë ai s’është përgjigjur kurrë posaçërisht duke e ditur që ka qenë në një periudhë kohore para pensionimit”, ka thënë Tomë Gashi.
Rasti i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari është rikthyer si temë nga Sami Kurteshi aktualisht anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga partia në pushtet, më 12 gusht të këtij viti.