UBT News

Kurt Kola, i përndjekuri i regjimit komunist që rezistoi me dekada në burgje dhe internim

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” kujtoi sot të dënuarin politik dhe ish-kryetarin e “Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, Kurt Kola (6 maj 1937 – 29 janar 2022).

Kola lindi më 6 maj 1937 në fshatin Macukull të Burrelit. Për shkak të aktivitetit politik të të atit, Bilal Kurti, i cili ishte përfaqësues i lartë i “Lëvizjes së Legalitetit” dhe kishte bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë, ai dhe familja e tij u internuan. Ata fillimisht u dërguan në Peshkopi dhe më pas në Berat, ku jetuan në kazermat e djegura nga lufta deri në prillin e vitit 1949.

Kur mbushi moshën 16-vjeçare, Kurt Kola u arrestua dhe u dënua me burg në Gjirokastër. Ky do të ishte fillimi i një kalvari dënimesh që do të zgjaste për dekada, duke përfunduar vetëm në 10 janar 1990, me rënien e regjimit komunist.

Në vitin 1993, ai u zgjodh kryetar i Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë. Dy vjet më vonë, ai u përzgjodh kryetar i “Lidhjes së Djathtë” dhe, nga 1998 deri në 2002, drejtoi Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë.

Kurt Kola ishte gjithashtu një autor i njohur, duke shkruar dhe botuar disa libra me poezi dhe romane, ku trajtonte jetën si i përndjekur politik dhe historinë e familjes së tij. Disa nga librat më të njohur të tij janë “Ëndrra Burgu” dhe “Në Shqipërinë burg”./UBTNews/

Exit mobile version