Real Madridi ka siguruar titullin e “Superkampionit” të Evropës pasi triumfoi ndaj Atalantas me rezultat 2-0 në finalen e Superkupës së Evropës, e cila u zhvillua në Varshavë të Polonisë.
Ndeshja filloi me një formacion sulmues për Real Madridin, ku treshja Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe Rodrygo ishin në vijën e parë. Megjithatë, madrilenët nuk arritën të rrezikonin seriozisht portën e Atalantas deri në fund të pjesës së parë.
Rasti i parë i vërtetë erdhi në minutën e 27-të, kur Marten de Roon harkoi një top të rrezikshëm, por devijimi i Eder Militaos përfundoi në shtyllë. Ederson provoi fatin pak minuta më vonë, por goditja e tij ishte jashtë kuadratit.
Real Madridi kishte shansin e tij më të mirë në kohën shtesë të pjesës së parë, kur Vinicius goditi, por shtylla shpëtoi portën e Atalantas.
Në pjesën e dytë, “Mbretërit” u rikthyen më të fortë dhe në minutën e 59-të, Jude Bellingham nisi një aksion të shkëlqyer. Ai pasoi te Vinicius, i cili kaloi një mbrojtës dhe asistoi te Ernesto Valverde, i cili realizoi nga afër për të kaluar Real Madridin në epërsi 1-0.
Pas golit, Real Madridi vazhdoi të rrezikonte me Vinicius dhe Eder Militao, por portieri Musso ishte i vëmendshëm. Megjithatë, në minutën e 69-të, madrilenët shënuan golin e dytë. Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe kombinuan bukur, dhe Mbappe realizoi me një goditje të saktë për 2-0.
Atalanta pati disa mundësi për të kthyer rezultatin, por nuk arriti të gjejë rrjetën. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-0 dhe Real Madridi u kurorëzua si Superkampioni i Evropës, duke e shtuar edhe një tjetër trofe në kabinetin e tij të pasur./UBTNews/