Mayyu Ali është një nga rreth 700 mijë anëtarët e komunitetit Rohingya që u desh të largoheshin nga Mianmari në verën e vitit 2017 pas abuzimeve të kryera nga ushtria birmaneze. Pesë vjet më vonë, poeti 31-vjeçar vazhdon t’i japë zë popullit të tij përmes shkrimeve.
“Toka rrotullohet në dy botë të ndryshme; ferri dhe parajsa. E lashë njërën për të zbuluar tjetrën”. Një vit më parë, në shtator të vitit 2021, Mayyu Ali shkroi ato fjalë teksa kalonte nëpër derën e banesës së tij të re në Ontario të Kanadasë, me gruan dhe vajzën e tij të vogël. Kjo shënoi fundin e një sprove të gjatë për poetin 31-vjeçar Rohingya, i cili kishte kaluar katër vjet në kampin më të madh të refugjatëve në botë, Cox’s Bazar në Bangladesh.
Nuk dihet nëse është e rastësishme apo kthesë fati, por ai do të shkojë në universitet për të studiuar letërsi (litterature engagée) më 6 shtator, pesë vjet pas ditës qëkur u largua nga Mianmari – si 700 mijë anëtarë të tjerë të komunitetit Rohingya – për t’i shpëtuar persekutimit të ushtrisë. Që në adoleshencë, ai ka ëndërruar të bëhet zëdhënës i komunitetit dhe të tregojë historinë e tij. Ai ka botuar tashmë dhjetëra poezi dhe së fundmi, një autobiografi në gjuhën frënge, “L’Effacement” (Éditions Grasset), të cilën e ka shkruar bashkë me gazetaren Émilie Lopes.
“Diskriminim, ikje, dhunë… Kam parë dhe përjetuar gjithçka. Është detyra ime t’i tregoj botës rreth saj”, deklaroi ai për France 24 nga Kanadaja.
Ali ka lindur në vitin 1991 në Maungdaw, Arakan, një rajon burmez në Oqeanin Indian. Djali i një peshkatari dhe më i vogli nga gjashtë fëmijët, ai kujton “një fëmijëri të gëzueshme” duke u larë në lum dhe duke luajtur me miqtë e tij budistë dhe hindu.
Qëkur hyri në fuqi një ligj për shtetësinë në vitin 1982, Rohingya, të cilët janë kryesisht myslimanë, kanë qenë pa shtetësi, pasi Mianmari i konsideron ata si emigrantë të paligjshëm nga Bangladeshi. Ky status ka bërë që ata të jenë në shënjestër të ushtrisë dhe ekstremistëve fetarë budistë./UBTNews/